Me mijëra vetë janë mbledhur përpara ndërtesës së Parlamentit në Londër duke krijuar një det njerëzor në ngjyrat e BE-së, blu dhe të artë.
“Marshimi për Europën” u organizua nëpërmjet mediave sociale. Pjesëmarrësit mbanin në duar parulla ku shkruhej “Bremain” dhe “Ne e duam BE-në”.
Britanikët votuan më 23 qershor me 52% të votave kundrejt 48% për shkëputjen e vendit nga Bashkimi Europian. Por një nga nismëtarët e protestës, komediani Mark Thomas thote se fushata e referendumit nuk u luftua në një nivel shansesh të barabarta.
Protesta tërhoqi edhe kritika në mediat sociale. Disa përdorues në Twitter e cilësuan atë “patetike” dhe thjesht një shpërthim zemërimi të atyre që nuk fituan. Forca të shumta policore ishin mobilizuar për të garantuar sigurinë e eventit.





