Zlatan Ibrahimovic pas lajmërimit lakonik që zyrtarizoi transferimin, pozoi për herë të parë me fanellën e Manchester United, me klubin që ende nuk ka dhënë detajet financiare të kontratës, ashtu si mbetet ende i panjohur numri që do të mbajë gjigandi suedez, do t’i rrëmbejë 10-ën Rooney apo do të pretendojë fanellën më të lavdishme që mbetet e disponueshme në “Old Trafford”, mitiken me numrin 7? Me hashtagun #ZlatanTime, prezantimi regjistoroi dhe fjalët e para të Ibrës si lojtar i United. Lojtari debutoi me frazën e famshme “Its Zlatan Time”, ndërsa për faqen zyrtare të klubit tha dicka më tepër.

“Jam absolutisht i lumtur që i bashkohem Manchester United dhe pres me padurim të luaj në Premier League. Nuk ështe e nevojshme të them që me zor pres të punoj edhe një herë me Mourinhon, një trajner fantastik, dhe jam gati për këtë sfidë të re entuziazmuese”.

Ibrahimovic zgjodhi të shkonte në një kampionat që mungon në CV e tij të pasur, ku figuron një titull i La Ligas, 4 kampionate të Francës, 2 kampionate holandezë, dhe 6 tituj dy prej të cilëve të hequr më pas të fituar në Itali me Juventusin dhe Interin si dhe një titull me Milanin. Sigurisht që i duhet ende të presë për Championsin, ku Manchester United nuk është i kualifikuar. Mjaft entuziazmuese ishin dhe fjalët e Jose Mourinho.“Zlatan nuk ka nevojë për prezantim, statistikat flasin vetë. Është një ndër sulmuesit me të mirë në Botë dhe një lojtar që jep gjithmonë 100%. Ka fituar kampionatet më të rëndësishëm në botë dhe tani ka rastin për të luajtur në turneun më të mirë. E di që do ta shfrytëzojë këtë rast dhe do të punojë shumë për të ndihmuar skuadrën që të fitojë tituj. Jam i sigurt se talenti i tij do t’i kënaqë tifozët në Old Trafford sezonin e ardhshëm dhe eksperienca e tij do të jetë e paçmueshme për të ndihmuar të rinjtë në skuadër që të rriten”.