Terroristët kanë sulmuar një restorant në kryeqytetin e Bangladeshit, Daka, shumë pranë Ambasadës Italiane, në lagjen Gulshan. Pasi vranë dy policë mbrëmë, terroristet nuk kursyen as jetën e pengjeve.
Mediat e huaja kanë bërë të ditur se 20 persona që nuk dinin vargje nga Kurani, mes të cilëve 9 italiane dhe disa japoneze, u ekzekutuan në restorant. Sulmi është marrë përsipër nga i ashtuquajturi Shteti Islamik.
Sapo janë futur në restorantin ‘Holey Artisan Bakery’, 7 terroristët kanë thirrur “Allahu akbar”. Mediat lokale raportojnë se në zonë është dëgjuar edhe një shpërthim i fuqishëm, si pasojë e të cilit janë vrarë dy policë dhe u plagos një taksist.
6 nga agresorët u vranë nga policia dhe njëri prej tyre u arrestua, bëri me dije zëdhënësi i qeverisë. Pengmarrja nisi në momentin kur njerëzit ishin ulur për të ngrënë iftar në muajin e shenjtë të Ramazanit.
“Ky ishte një akt shumë i urryer, – tha kryeministri Sheikh Hasina në një deklaratë në televizion. – "Çfarë lloj muslimanësh janë këta njerëz? Ata nuk kanë asnjë fe. Qeveria ime është e vendosur për të çrrënjosur terrorizmin dhe militantizmin nga Bangladeshi”, tha ai.





