Nga sot asnjë farmaci e cila hapet për herë të parë, nuk mund të jetë në një distancë më pak se 20 metra nga institucionet shëndetësore publike”. Gjithçka përcaktohet në kontratën e re të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për vitin 2016. Drafti i saj ishte kundërshtuar në disa pika nga Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë, por në datën 30 qershor, Gjykata Administrative e Apelit ka rrëzuar padinë e ngritur nga UFSH-ja, duke i hapur rrugë zbatimit të saj. Në padinë e saj, UFSH-ja kundërshtonte disa kritere, që kishin të bënin, mes të tjerash, me distancën jo më pak se 20 metra që farmacitë duhet të kenë nga kufiri i jashtëm i institucionit shëndetësor publik; sipërfaqen e shfrytëzueshme prej 50 m2 që duhet të kenë farmacitë që lidhin kontratë për herë të parë me Fondin (ndërsa agjencia farmaceutike 15 m2); si dhe kriterin që parashikonte zgjidhjen e kontratës së Fondit me farmacitë dhe agjencitë farmaceutike, të cilat janë në hetim nga organi i akuzës deri në përfundimin e plotë të hetimeve. Të gjitha pretendimet e ngritura nga UFSH-ja në padinë ndaj Fondit u gjetën të pabazuara në ligj nga Gjykata Administrative e Apelit, e cila në këto kushte, pas një hetimi të plotë vendosi të rrëzojë kërkesë-padinë e ngritur.
Kriteret e reja
Kontratat e vitit 2016 kanë sjellë disa kritere të reja që duhet të plotësojnë farmacitë, në mënyrë që të kontraktohen nga Fondi. Një nga risitë është fakti se “farmacia që lidh kontratë për herë të parë ose pas një periudhe ndërprerjeje, të ketë gjendje jo më pak se 60% të barnave alternativa të para të listës së barnave, që rimbursohen në sasi të tillë jo më pak sesa mjekimi mujor sipas protokollit të përdorimit”. Edhe kjo pikë ishte kundërshtuar nga UFSH-ja, ndërsa presidentja, Diana Toma, në një intervistë dhënë për “Gazeta Shqiptare” deklaroi se “ky përcaktim ngarkon me një barrë financiare të pajustifikuar subjektet farmaceutike dhe se farmacisti që punon brenda një subjekti farmaceutik është në gjendje të vlerësojë cilat barna duhet të mbajë në farmaci, pasi ai i di kërkesat e pacientëve”.
Një pikë e re parashikuar në kontratë është kushti që “farmacia që lidh kontratë për herë të parë, duhet të jetë në një distancë të tillë jo më pak se 150 m (rrugë këmbësore) nga farmacia ekzistuese me kontratë (planvendosje dhe vërtetim lëshuar nga arkitekt/inxhinier i licencuar). /Gazeta Shqiptare/





