Rreth 12 për qind e maturantëve kanë rezultuar mbetës në provimin e matematikës. Të dhënat bëhen me dije nga Agjencia Kombëtare e Provimeve, e cila tashmë ka publikuar notat për 41 mijë nxënësit që iu nënshtruan këtij provimi në datën 17 qershor. Të njëjtat burime thanë për “Gazeta Shqiptare” se në krahasim me 1 vit më parë, ka 1% më tepër ngelës, por nëse e krahasojmë me numrin e përgjithshëm të pjesëmarrësve, atëherë kalueshmëria është pothuajse e njëjtë. “Vitin e kaluar në provimin e matematikës morën pjesë 44 mijë maturantë, pra 3000 më shumë se sivjet. Para një viti kishim 11% për qind mbetës, çka do të thotë se pothuajse jemi në të njëjtat nivele”, u shprehën përfaqësuesit e AKP-së, duke theksuar se në total janë 5046 nxënës që kanë marrë notën 4.
Nxënësit e mirë
Ndërkaq, pas përpunimit të të dhënave rezulton se 100 maturantë kanë arritur në marrin pikët maksimale në testin e Matematikës, duke grumbulluar 50 pikë. Në total janë 2 për qind e nxënësve që kanë arritur të marrin notën 10-të, duke pasur mundësinë të mbledhin nga 45-50 pikë. Janë 1.042 maturantë që janë vlerësuar me notën 10-të. 107 prej tyre kanë notën e shkallëzuar 9.90, 170 e kanë këtë notë 9.80, ndërsa 194 rezultojnë me notë të shkallëzuar 9.70. Po ashtu, 219 nxënës janë vlerësuar me notën 9.60, ndërsa 252 nxënës me notën 9.50”,- saktësuan përfaqësues të Agjencisë Kombëtare të Provimeve.