“10 minuta po të ishte futur më parë tubi i frymëmarrjes vajza ime do kishte shpëtuar”. Me zërin që i dridhet, babai i të ndjerës Doriana Haka, e cila humbi jetën pasi solli në jetë djalin e saj të parë, thotë se neglizhenca e mjekëve i mori jetën së bijës.
Teksa është në pritje të vendimit të gjykatës për mjekun gjinekolog Petrit Rexhepi dhe reanimatoren Elona Burba, Enver Haka thotë se ka besim dhe shpresë tek drejtësia.
“Unë kam shpresë tek drejtësia, sepse të mos kisha e kisha bër drejtësinë vetë. Të më ikë fëmija 25 vjeç… më dridhet mishi. 25 vjeç pa u sëmurur një herë. Ajo ishte sportiste, siç kanë deklaruar dhe vetë mjekët, jo e sëmurë. 10 minuta po të ishte futur më parë tubi i frymëmarrjes do kishte shpëtuar”,deklaroi për mediat Enver Haka.
Doriana Haka, bashkëshortja e portierit të Partizanit Alban Hoxha, humbi jetën nëntorin e vitit 2014, dy javë pasi solli në jetë fëmijën e saj të parë.
Më herët, familjarët e saj janë konfliktuar me të afërmit e mjekëve të akuzuar për mjekim të pakujdeshëm. Në tetor të vitit 2015 ta janë irrituar pasi avokatët kanë kërkuar në seancë ekspertizë të re. Përplasja ka ndodhur në korridoret e gjykatës së Tiranës pas seancës dhe ka ndërhyrë policia për të shuar sherrin mes familjarëve.





