Partia Demokratike po përgatit një kallëzim penal për kryeministrin Edi Rama, lidhur me skandalin e publikuar në mediat e huaja dhe vendase, për foton me presidentin amerikan Barak Obama. Kallëzimi penal do të kryhet për mashtrim dhe pastrim parash.

Burime nga selia blu thonë se ky kallëzim vjen pasi zyrtarisht shqiptaro-amerikani Bilal Shehu ka pranuar para prokurorëve se 80 mijë eurot e paguara në aktivitetin e mbledhjes së fondeve për fushatën e Obamës, kishin ardhur nga Shqipëria.

Më herët gjatë ditës kreu i opozitës, Lulzim Basha akuzoi Ramën dhe kërkoi hetim nga prokuroria për këtë çështje.

Ndërkohë më vonë Kryeministria ka reaguar përmes një deklarate, ku i cilësonte shpifje dhe propagandë të ulët pretendimet në media se Rama ka paguar 80 mijë dollarë për foton me Obamën.