Krijohet Grupi Ndërinstitucional për Koordinimin e Politikës Tregtare dhe Lehtësimin e Tregtisë.
Grupi Ndërinstitucional është një institucion këshillues e koordinues që ka si objektiv përmirësimin e procesit të politikës tregtare dhe lehtësimin e tregtisë ndërkombëtare, nëpërmjet dialogut mes përfaqësuesve të qeverisë, komunitetit të biznesit në Shqipëri dhe grupeve të tjerë të interesuara.
Grupi do të drejtohet nga Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, znj. Milva Ekonomi.
Ky grup do të ndërmarrë analiza dhe kërkime prej të cilave do të prodhohen rekomandime të cilat më pas do të implementohen nga qeveria për t’i shërbyer biznesit.
Sipas ministres Ekonomi, ky grup është përpjekja e radhës e qeverisë për t’u koordinuar me qëllimin final shtimin e lehtësive në bërjen tregti për bizneset.
Anëtarët e këtij grupi u dakordësuan që në mbledhjen e ardhshme të diskutohet për fuqizimin e marrëdhënieve tregtare me Kosovën duke e përdorur këtë edhe si model për bashkëpunimin me vendet e tjera të rajonit.
Objektivi kryesor i Grupit Ndërinstitucional është të veprojë si një forum për përmirësimin e procesit të politikave tregtare dhe zbatimit të tyre, lehtësimit të tregtisë, dhe përcaktimin e drejtimeve kryesore të lehtësimit të tregtisë.
Në të njëjtën kohë pikësynime të grupit janë dhënia e rekomandimeve për politikat që do të ndiqen në investimet që pritet të realizohen në fushën e tregtisë.
Grupi synon të ofrojë një forum kombëtar konsultimi dhe koordinimi për lehtësimin e procedurave dhe dokumentacionit që përdoret në tregtinë ndërkombëtare, transportin, tranzitin, logjistikën, financat dhe çështje të tjera të lidhura me tregtinë ndërkombëtare.
Info
Përbërja e Grupit
-Kryesohet nga Ministrja e MZHETTS
-Zëvendësministri i Financave
-Zëvendësministri i Energjisë dhe Industrisë
-Zëvendësministri i Transportit dhe Infrastrukturës
-Zëvendësministri i Bujqësisë
-Zëvendësministri i Shëndetësisë
-Zëvendësministri i Integrimit Europian
-Drejtori i Përgjithshëm i Doganave
-Kryetari AKU
-Përfaqësues Autoriteti i Portit Durrës
-6 Përfaqësues nga Sipërmarrja
-2 Përfaqësues nga MZHETTS





