E ardhmja e Zinedine Zidane në krye të Real Madrid është në orët e fundit. Tekniku francez lëshon sinjale lamtumire thuajse në çdo dalje publike ndërsa sipas mediave spanjolle vendimin e tij për tu larguar në fund të këtij sezoni ia ka bërë të qartë edhe lojtarëve.
Drejtuesit e Real Madrid nuk janë kapur të papërgatitur nga ky vendim pasi prej kohësh kanë përpiluar një listë me kandidatë të mundshëm, në balotazh për momentin janë Raul dhe Allegri.
Ish-sulmuesi i famshëm që nga qershori i vitit të shkuar është në krye të akademisë dhe nuk e ka fshehur asnjë herë dëshirën e tij për të marrë drejtimin e ekipit të parë.
Raul është një bast i ngjashëm me Zidane por presidenti Perez është pak skeptik në këtë pikë, Realit sot më shumë se kurrë i duhet një dorë e hekurt, një trajner ekspert, për këtë arsye sipas mediave spanjolle, Max Allegri është favorit.
Ish-trajneri i Juves pëlqehet shumë nga Perez, edhe në të shkuarën është përpjekur ta transferojë në Madrid. Një tjetër emër jo pak i rëndësishëm edhe ai i Joachim Loew.
Tekniku gjerman do të jetë i lirë pas përfundimit të europianit dhe është një opsion konkret. Në lidhje me të ardhmen e Zizu, francezi është një idhull në Torino dhe shihet gjithnjë e më shumë si pasuesi i Andrea Pirlo në krye të Juves.





