Probleme serioze për Belgjikën në prag të çerekfinales së Europianit me Uellsin, që do të zhvillohet në stadiumin e Lilles. Mbrojtësi Jan Vertonghen ka përdredhur kaviljen gjatë stërvitjes dhe nuk mund të jetë në dispozicion të trajnerit Marc Wilmots për këtë ndeshje.

Futbollisti i Tottenhamit nuk mund ta vendosë këmbën në tokë, e për këtë arsye stafi teknik duhet gjejë një zgjidhje tjetër. Me shumë mundësi do të aktivizohen titullarë si Denayer dhe Jordan Lukaku, vëllai i sulmesit Romelu Lukaku. Dëmtimi i Vertonghen erdhi në një moment delikat, pasi ndaj uellsianëve do të mungojë për arsye kartonësh edhe Thomas Vermaelen.

Para se të niste Europiani, Belgjika humbi po për arsye dëmtimi kapitenin Vincent Kompany, Nicolas Lambaerts dhe Dedryck Boyata, çka do të thotë se për të ndalur Bale, Wilmots është i detyruar të aktivizojë katër emra pa shumë eksperiencë në prapavijë. Jordan Lukaku, i cili luan me Oostenden në kampionatin belg, është aktivizuar në vetëm 4 takime me kombëtaren, ndërsa Denayer që sezonin e kaluar luajti me Gallatasarajin në formë huazimi nga Manchester City numëron 7 takime me përfaqësuesen.