Andrei Arshavin dhe Anatoli Timoshuk, pas ndeshjes me Teutën folën për mediat duke u shprehur se u gëzohen fitores, por nuk lënë mënjanë rezistencën e Teutës të cilën e vlerësojnë për atë që dha në fushë.

“E mbyllëm takimin me një gol. Mund të kishim shënuar më shumë, por nuk u treguam të saktë në finalizim. Përgëzoj kundërshtarin për lojën e fortë që zhvilloi. Kjo ndeshje tregoi se nuk ka kundërshtarë të lehtë, aq më tepër që ekipi juaj Kombëtar u paraqit mjaft mirë në EURO 2016. Në ndeshjen e kthimit do jetë një histori tjetër”, tha Arshavin.

“Fituam, por ishte një ndeshje shumë e vështirë. Nuk e kishim menduar që do të shkonte në këtë mënyrë. Ekipi i Teutës na vuri në vështirësi disa herë. Pjesa e parë u luftua shumë nga të dyja skuadrat, ndërsa në të dytën fitoi eksperienca dhe forma fizike e ekipit tonë. Ndikuan edhe faktorë të tjerë, që u ndien gjatë lojës sonë për minuta të tëra, që ishin i nxehti dhe lodhja. Megjithatë është një rezultat i kënaqshëm për ne”, tha Timoshuk.