Belgjika prezantohet me brezin më të talentuar jo vetëm të saj por ndoshta të të gjithë europianit, ndërsa Uellsi zbret në fushë me lojtarin më të shtrenjtë të historisë. Nëse ka një këndvështrim për të parë sfidën Belgjikë-Uells, ky ndoshta është më i sakti.
Çerekfinalja e dytë e Euro 2016 përball dy skuadra me filozofi të ndryshme por me një objektiv, biletën e gjysmëfinales. Uellsi që këtë sezon u prezantua për herë të parë në një europian kërkon të arrijë një kufi të pamenduar më parë edhe pse këtë herë nuk do të ketë përballë modestët irlandezo-veriorë por “Djajtë e Kuq” që shkatërruan 4-0 Hungarinë. Nëse Uellsi eliminohet do të kthehet në shtëpi me kokën lartë, por Gareth Bale ka të tjera qëllime, ai synon finalen e madhe të 10 Korrikut në Paris.
Çerekfinalja do të luhet në impiantin modern të Lille dhe dy precedentë të afërt këto dy skuadra i kanë, sfidën eliminatore të Nëntorit 2014 në Bruksel ku Uellsi e ndali Belgjikën në një barazim pa gola, ndërsa një vit më pas në Cardiff goli i Bale theu skuadrën e Wilmots. Gjithsesi historia ndryshon pasi në të tilla nivele diferencën e bën jo vetëm grupi por edhe cilësia në skuadër.
Belgjika përbëhet nga një grup yjesh si në fushë ashtu edhe në bankinë, ndërsa skuadra e Chris Coleman do të bazohet në lojën kolektive. Eden Hazard ka arritur të rigjejë buzëqeshjen pas një starti katastrofik për Belgjikën që mori goditjen e rëndë nga Italia, ndërsa Uellsi rigjen kapitenin Williams, i cili pësoi një dëmtim gjatë ndeshjes kundër Irlandës së Veriut. Të dyja skuadrat kanë treguar formë në rritje me kalimin e ndeshjeve dhe këtë e tregojnë statistikat pasi në radhët e belgëve Lukaku, De Bruyne, Carrasco, Nainggolan, Hazard dhe Mertens kanë gjetur ritmin e tyre, ndërsa në krahun tjetër, Bale dhe Ramsey po kuptohen me sy mbyllur dhe kjo u kuptua në golin e fitores në 1/8-at. Sulmuesi i Realit të Madridit është kthyer në një lider të vërtetë pasi në prag të kësaj sfide, ai e bën të qartë se beson.
“Ne kemi arritur rezultate shumë të mira ndaj Belgjikës në eliminatore dhe ata janë një skuadër shumë e mirë. E kemi fatin në duart tona dhe asnjëherë nuk i dihet se si përfundojnë ndeshje të tilla. Ne do të bazohemi shumë te eksperienca që kemi përfituar në dy përballjet eliminatore sepse e dimë shumë mirë si të luajmë edhe pse parashikoj një ndeshje ndryshe. Tani ka më shumë presion dhe ne e dimë shumë mirë se sa të aftë janë ata në fazën e sulmit. Gjithsesi, ne do të bëjmë ndeshjen tonë për t’i bllokuar”.
Në kampin belg, Hazard e pranon se pavarësisht emrit të kundërshtarit, çerekfinalja e së premtes në mbrëmje do të jetë shumë e luftuar. “Kemi përballë një skuadër shumë të fortë. Personalisht e konsideroj veten me fat që do të luajmë në Lille sepse e njoh mjaft mirë këtë qytet. Uellsi është një skuadër shumë inteligjente dhe këtë e ka treguar edhe në ndeshjen eliminatore ndaj nesh. Ne nuk krijuam shumë raste për shënim dhe ata luajtën si një grup i bashkuar duke na krijuar shumë vështirësi. I kemi studiuar shumë dhe besoj se do t’ia dalim mbanë”.





