Pas dorëheqjes së kryeministrit Cameron, në Britani ka filluar lufta për zëvendësimin e tij dhe udhëheqësit të opozitës laburiste, Jeremy Corbyn.
Ndër kandidatët për postin e kryeministrit të ri, që do të duhet të zgjidhet nga konservatorët brenda 2 shtatorit, janë ministrja aktuale e Brendshme, Theresa May, e cila cilësohet si kandidate që garanton unitetin në atë parti dhe ka qenë pro qëndrimit të Britanisë në BE.
Ndërkohë, në shenjën e parë të një përçarjeje dhe mosbesimi në kampin e atyre që kërkuan daljen, ish-ministri i Drejtësisë Michael Gove, i njohur për referencat ndaj Shqipërisë për të argumentuar nevojën e daljes nga BE-ja gjatë fushatës, ka shpallur kandidaturën për kryeministër.
Por ish-kryetari i Bashkisë së Londrës, Boris Johnson, i cili ka fshehur në të shkuarën pa sukses dëshirën për të pasuar shokun e tij të universitetit në postin e kryeministrit, ka surprizuar duke deklaruar se nuk do të konkurrojë nga kampi i “Brexit” për postin e kryeministrit të ri britanik.
Në radhët e konservatorëve janë edhe 4 a 5 kandidatë të tjerë që konkurrojnë, ndërkohë që deri tani për postin e kryetarit të opozitës laburiste, për të zëvendësuar Jeremy Corbyn, ndaj të cilit është zhvilluar revolta më e paprecedentë në politikën moderne britanike, e vetmja kandidate deri më tani është ajo e Angela Eagle, ministres së Ekonomisë dhe Biznesit në hije, ish-kampiones së shahut dhe të vetmes politikane të deklaruar publikisht si homoseksuale.
Betejat se, cili do të jetë kryeministri i ardhshëm dhe cili udhëheqësi i ri i opozitës, do të përcaktojnë se çfarë drejtimi do të marrin bisedimet dhe vet e ardhmja e marrëveshjes së Londrës me Brukselin, pas largimit nga BE-ja, madje edhe nëse do të konkretizohen ose jo skenarët e përfolur në korridoret e politikës, të një mundësie për një refendum të dytë, edhe pse për momentin duket e parealizueshme.





