Legjenda e stolit italian Giovanni Trapattoni krahason djemtë e Joachim Low me kancelaren Agela Merkel në prag të çerekfinales midis Gjermanisë dhe Italisë. Gjatë një interviste për ANSA, ai deklaron: “Përse vuan kaq shumë Gjermania kundër Italisë në futboll? Pasi e kanë në mentalitet të mendojnë se dominojnë botën, si Angela Merkel.” Më pas 77 vjeçari vijon: “Ata na duan dhe na adhurojnë, por edhe vuajnë kundër nesh, kjo nuk mund të mohohet.”
“Me gjithë respektin që kam për kancelaren Merkel, dëshira e saj për hegjemoni është e dukshme. Gjermanët ndihen gjithmonë kaq të fortë. Më pas vijmë ne, të vegjël, gjithmonë polemik, me shumë mëkate, por në fund gjenialë. Dhe ne i çojmë në krizë. Low e njeh Italinë dhe dobësitë e saj. Ai e di, se në këto ndeshje kanë shumë rëndësi detajet. Dhe për këtë, zakonisht jemi ne superiorë. Mendoj se do të shkojë sërish në kohë shtesë dhe ne do të fitojmë sërish. Do të ishte një tronditje e madhe për ta.”





