Pas eurodeputetëve Knut Fleckenstein dhe Eduard Kukan, edhe Gjermania ka rrëzuar pazaret e ambasadores së BE-së, Romana Vlahutin, për reformën në drejtësi.
Kreu i Komisionit për Çështjet Europiane në Bundestag, Gunther Krichbaum, gjatë vizitës së tij në Tiranë, i ardhur posaçërisht për reformën në drejtësi, i ka kërkuar mazhorancës qeverisëse që të kalojë reformën në drejtësi me konsensus dhe jo me shitblerje votash. Gunther Krichbaum e kërcënoi politikën shqiptare se, nëse reforma kalon me vota të blera, jo vetëm që nuk do të hapen negociatat për integrimin, por Shqipërisë do t’i hiqet edhe statusi kandidat.
Deputeti gjerman theksoi që reforma në drejtësi të kalojë patjetër me konsensusin e të dyja palëve i ka bërë thirrje mazhorancës që ta kalojë draftin me konsensusin e opozitës, pasi, në rast të kundërt do të ishte një draft i njëanshëm dhe do të rezultonte jo i suksesshëm. Me një deklaratë të tillë ai ka rrëzuar të gjithë deklarata e ambasadores së BE-së, Romana Vlahutin, e cila prej disa ditësh ka nxitur shit-blerjen e votave, pasi i ka vënë opozitës vijën e kuqe për vetingun.
“Tani u prekën kushtet që të merret një vendim. Duhet të mos humbasë durimi, dhe opozitë-qeveri të gjejnë kompromis. Nëse nuk gjendet kompromis reforma nuk jep rezultat. Reforma pa kompromis, nuk sjell drejtësi të pavarur. Vendi ku qeveria ndikon në drejtësi s’është i BE-së. Me reformë të garantohet drejtësi e pavarur. Disa detaje të sqarohen por palët të ndërgjegjshme. Durimi ynë për reformën nuk do të jetë i pafund. Ne ju mbështesim, ndaj morët statusin. Tërheqim statusin kandidat nëse nuk e doni reformën!”, tha Krichbaum.
Deputeti gjerman ka theksuar se tashmë drafti është gati, dhe 21 korriku është moment vendimtar për reformën në drejtësi, duke theksuar se opozitë-mazhorancë duhet të gjejnë kompromis. “Reforma në drejtësi është prioriteti më i rëndësishëm për vendin. Ne interesohemi për zbatimin e ligjeve, dhe jo për letrat. Duhet zbatimi i ligjit, që të vijnë investitorë në Shqipëri. BE dhe Gjermania ofruan mbështetje për këtë proces. Tashmë drafti është gati, dhe 21 korriku është moment vendimtar. Opozita u angazhua në proceset e reformës”, theksoi Krichbaum.





