Lamtumira e Thomas Strakoshës nga Lacio afron gjithmonë e më shumë, pasi portieri e ka kuptuar që ndaj tij ka aktualisht mungesë besimi nga klubi dhe do të mbetet edhe të paktën një tjetër vit si “hija” e Pepe Reinas. Një sakrificë që portieri shqiptar nuk do ta bëjë e për këtë arsye, rrugët do të ndahen në këtë verë, pasi edhe Lacio kërkon që të përfitojë financiarisht nga largimi i tij.
Në mediat italiane kanë qarkulluar emrat e klubeve të ndryshme jashtë Italisë që janë interesuar për Strakoshën në vitet e fundit dhe disa prej tyre do të kthehen padyshim në garë në këtë verë. Por së fundmi duket se për lojtarin po interesohet një tjetër klub i Serisë A.
Sipas asaj që bëhet e ditur përtej Adriatikut, Bolonja po mendon të rinovojë me Skorupskin, por nëse nuk garanton firmën e tij, është gati të lëvizë dhe të firmosë me Strakoshën, duke i dhënë lamtumirën polakut.
Strakosha do të ishte një prioritet mes shuam kandidaturave për Bolonjën pasi portieri shqiptar ka eksperiencë të madhe në Serinë A dhe nuk do të kishte probleme ambientimi duke u bërë menjëherë titullar i padiskutueshëm në skuadrën e drejtuar nga Sinisha Mihajloviç.





