Kriza e refugjatëve është konsideruar nga Avokati i Popullit, Igli Totozani, si një çështje e të drejtave të njeriut, ndërsa theksoi se “detyrimi ynë është që fëmijët e refugjatëve dhe emigrantëve të jenë të sigurtë, të shëndetshëm dhe t’u respektohen të drejtat”.
Me ftesë të Ombudsmanit Francez, Avokati i Popullit të Shqipërisë, Igli Totozani mori pjesë në konferencën me temë: “Fëmijë, Europë, Urgjencë. Mbrojtja dhe e ardhmja e fëmijëve migrantë: një sfidë për Europën”, që u zhvillua në Paris, Francë.
“Qeveritë kanë detyrimin për ofrimin e zgjidhjeve afatgjata për refugjatët. Duke iu referuar të dhënave nga Eurostat, midis janarit dhe korrikut, 2015, gati 133,000 fëmijë kërkuan azil në Bashkimin Europian, me një mesatare prej 19.000 fëmijë çdo muaj. Në çdo katër azilkërkues, një është fëmijë”, deklaroi Totozani.
Trajtimi i krizës së refugjatëve dhe migrantëve sot në Europë, sipas tij, “është një çështje e të drejtave të njeriut dhe duhet të përshkojë në mënyrë tërësore politikat shtetërore të vendeve pritëse apo të tranzitit, si dhe të atyre vendeve që kanë shumë gjasa të preken nga kjo krizë e paprecedentë në hapësirën e gjerë të Mesdheut.
Totozani shoi më tej se i ka dëguar Kryeministrit Edi Rama një rekomandim për trajtimin e krizës së refugjatëve. Përmes këtij dokumenti kërkohet marrja e masave të menjëhershme dhe të nevojshme për trajtimin në përputhje me instrumentet kombëtare e ndërkombëtare të flukseve ekzistuese dhe atyre të pritshme të migrantëve dhe refugjatëve në Shqipëri. “Në këtë dokument kam kërkuar që Qeveria e Shqipërisë të vazhdojë të nxisë nismat rajonale e më gjerë për të mundësuar bashkërendimin e trajtimit dhe të ofrimit të ndihmës në Ballkanin Perëndimor”, tha ai.
Në këtë konferencë u diskutua mbi flukset masive të migrantëve në Europë, dhe mënyrat sesi duhet organizuar qarkullimi dhe pritja e fëmijëve migrantë, si dhe lufta kundër trafikimit të qenieve njerëzore. “Interesi më i lartë i fëmijës dhe respektimi i të drejtave të tyre themelore duhet të prevalojë mbi konsideratat politike të menaxhimit të flukseve migratore”, ishte konkluzioni i konferencës së Parisit.





