Policia e Durrësit ka vënë në pranga një 30- vjeçar nën akuzën e tentativës së vrasjes. Bëhet fjalë për Dorian Hasën, banues në Durrës, i dënuar më parë.
Specialistët për Krimet e Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, pas një pune hetimore të mirëorganizuar dhe pa kaluar 24 orë, kanë bërë të mundur zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të një ngjarje, duke arrestuar në flagrancë autorin e dyshuar, pasi më datë 28.06.2016, rreth orës 22:30, në lagjen numër 12, Durrës, pas një konflikti për motive të dobëta, ka tentuar të vrasë me armë zjarri tip pistoletë shtetasin R.P. 26 vjeç, banues në Durrës.
Ky i fundit e kishte goditur Hasën me grushta dhe me sende të forta në fytyrë.
Hasa ka qëlluar me armë zjarri, në drejtim të shtetasit R.P, i cili është shmangur duke u larguar me vrap nëpër rrugicat e lagjes.
Autori i dyshuar është larguar nga vendi i ngjarjes duke marrë me vete edhe armën e krimit.
Policia e Durrësit ka mbërritur menjëherë në vendngjarje.
Grupi hetimor kreu veprimet e para hetimore duke kqyrur vendin e ngjarjes, sekuestroi provat materiale, pyeti dëshmitarët okularë, të cilat mundësuan identifikimin dhe vënien në ndjekje të autorit të dyshuar.





