Njerëzit që anashkalojnë vaktet, hanë gjatë rrugës ose mbrëmjeve vonë, janë më pak të shëndetshëm se njerëzit që i hanë vaktet e rregullta, ka zbuluar një studim i ri. Autorët e studimit thonë se duhet përfshirë patjetër në udhëzimet kombëtare të ushqyerjes koha kur duhet të hahen vaktet.

Sipas hulumtuesve shkencorë nga Kolegji Mbretëror i Londrës dhe Universiteti São Paulo, çrregullimi i vakteve mund të çojë në shfaqjen e sëmundjeve të ndryshme, si diabeti i tipit 2, tensioni i lartë i gjakut, obeziteti etj.

“Ka një farë të vërtetë tek thënia “ha mëngjesin si mbret, drekën si princ dhe darkën si një i varfër”, thotë Dr. Gerda Pot, lektore tek Kolegji Mbretëror i Londrës. “Megjithatë, nevojiten më shumë studime”.

“Deri tani kemi shumë informacione mbi mënyrën e ushqyerjes, por nuk dimë se cili vakt duhet të na japë më shumë energji”.

“Edhe pse  shumë studime sugjerojnë se konsumimi i shumë kalorive në mbrëmje lidhet me obezitetin, nuk e dimë akoma nëse marrja e energjive duhet të ndahet njësoj gjatë ditës, ose mëngjesi duhet të kontribuojë në ndarjen e energjisë”.

Ekipi kërkon që të bëhen më shumë studime për kohën e ngrënies së vakteve dhe shtimit në peshë tek fëmijët.