Dajana Shabani, motra e pronares së Kopshtit ‘Diren’ Anjeza Shabanit, është kallëzuar sot në Policinë e Tiranës nga gazetarja e ‘Albeu.com’, Marsela Sinani.

Ky kallëzim ka ardhur pas kërcënimit që Dajana (në foto) i ka bërë përmes një mesazhi në rrjetin social Facebook, pasi gazetarja kishte bërë një koment mbi rastin e dhunës së ushtruar nga motra e saj mbi fëmijën 3-vjeçar.

“Nëse zemërimi matet me liket e komentet në rrjetet sociale, padiskutim që 33-vjeçarja Anjeza Shabani do të thyente rekordet. Emri i saj u lakua për orë me radhë, u kthye në kryefjalë të ditës pas keqtrajtimit barbar të një fëmije vetëm 3 vjeç. Pas atij fëmije fshihej zemra e çdo nëne e jo vetëm. Në ato të pakta raste, fjalori mori ngjyrime të shumta, ku etika i kishte thyer rregullat. Në këtë marrëveshje që bënë qytetarët, arritën që të shfrynin dufin, e mbi të gjitha të vinin me shpatulla pas murit jo vetëm “pronaren”, por edhe institucionet që i kishin lejuar në këtë situatë”, thuhet në një pjesë të komentit të bërë nga gazetarja e të publikuar nga portali ‘Albeu.com’.

Pasi ka lexuar komentin, motra e Anjezës i shkruan se do të mbajë përgjegjësi për këtë shkrim dhe gjykim publik që i ka bërë.

“A e di ti që do mbash përgj për çfarë ke thënë? Nëse nuk e di po ta them unë. Morracaket si ti unë i shtyp me këmbë, dhe kam qef te hasemi një herë bashkë! Për çdo njeri që ka cënuar imazhin tim, ka bërë gjyqin publik, u them të gjejnë një avokat të mirë! Bëhu gati edhe ti”, shkruhet në mesazhin e Danja Shabanit.