41 viktima, megjithëse disa burime flasin për rreth 50 të vdekur, është bilanci tragjik i sulmit terrorist në aeroportin e Stambollit, mbrëmjen e së martës.
E ndërsa familjarët vajtojnë viktimat, e shumë të tjerë luten për të plagosurit e këtij atentati të frikshëm, mediet botërore kanë nisur të publikojnë identitetin e atyre që për fat të keq humbën jetën mbrëmjen e djeshme.
23 nga 41 viktimat janë me shtetësi turke. Në mesin e atyre që humbën jetën është edhe një polic hero, që tentoi të ndalte njërin prej kamikazëve. Një burrë i sapo martuar dhe njëkohësisht i sapo bërë baba, një student i sapo diplomuar, që kishte nisur punën e tij të parë, një çift që humbi jetën nga plumbat e terroristëve….
Janë këto vetëm disa nga viktimat e sulmit, që tronditi mbrëmë jo vetëm Turqinë, por gjithë botën.
Dëshmitarët e atyre momenteve të tmerrit tregojnë se kaosi, paniku, të shtënat dhe gjaku mbizotëronte kudo.
“Vrapova pa ditur se ku. Sapo kisha mbërritur në terminal. Nuk i dëgjova shpërthimet, por pashë turma njerëzish që vinin drejt meje, të mbërthyer nga paniku”.
Ky është rrëfimi i një të riu britanik, dëshmitar i atyre minutave makthi, që kaluan të gjithë ata që ndodheshin në aeroportin e Stambollit.
Autoritetet janë shprehur se pas sulmit terrorist qëndron grupi ISIS.





