Policia e Vlorës ka kryer me sukses tri operacione antidrogë, gjatë 12 orëve të fundit, duke sekuestruar 72 kilogramë kanabis sativa dhe duke arrestuar 7 persona.
Në kuadër të operacionit “Vjosa” u sekuestruan 25 kg kanabis, ndërsa u arrestua 47-vjeçari Fatmir Hameti. Droga u gjet në garazhin e një banese në lagjen “Isa Boletini”, e sistemuar në dy thasë plastikë dhe në një bidon plastik, gati për ta shitur.
Operacioni “Llakatundi” vuri në pranga 3 të rinj, konkretisht 26-vjeçarin Ilir Hoxhaj, 27-vjeçarin Shpendi Hoxhaj, dhe 23-vjeçarin Endri Hoxhaj. Këta persona u kapën me 29 kilogramë kanabis në automjetin me të cilin po udhëtonin në aksin Babicë – Vlorë.
Në pranga ranë edhe tre persona të tjerë, të cilët u kapën me 17 kilogramë kanabis. Ata janë Ervis Xhaferaj, 28 vjeç, Hekuran Gerbi, 24 vjeç dhe Klodjan Nazëraj, 30 vjeç.





