Gjyqtari i Beratit Shyqyri Çobo është pezulluar nga detyra, pasi akuzohet se i ka kërkuar favore seksuale një qytetareje, e cila ishte në një proces divorci dhe Çobo ishte pikërisht gjytari që do të gjykonte çështjen e saj.
Lajmi është bërë i ditur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda e cila thotë se gjyqtari akuzohet për “Korrupsion Pasiv”.
Kallëzuesja është një grua nga Berati palë në një proces civil divorci, ku gjyqtar i çështjes ishte Shyqyri Çobo. Pasi i ka premtuar avokat gjyqtari ka kërkuar miqësi duke i telefonuar dhe dërguar shpesh sms shtetases I.T. për krijimin e një lidhjeje intime. E frikësuar për faktin se refuzimi i prerë nga ana e saj do të sillte si pasojë humbjen në procesin gjyqësor ku ishte palë, gruaja bëri denoncimin. Sipas prokurorisë, gjyqtari Çobo kishte kryer mbi 300 telefonata në drejtim të kallëzueses, si edhe një numër të lartë mesazhesh me tekst për një periudhë prej 3 muajsh.
Hetimi
Nga hetimi i Prokurorisë për Krime të Rënda rezulton se kallëzuesja ka qenë palë në një proces civil divorci, ku gjyqtar i çështjes ishte Shyqyri Çobo. Në seancën e parë të atij procesi, gjyqtari i është ofruar kallëzueses që t’i siguronte një avokat, meqë kjo e fundit nuk kishte mundësi financiare. Për këtë arsye, ata shkëmbejnë numrat e telefonit. Pasditen e së njëjtës ditë, gjyqtari i dërgon mesazh në telefon kallëzueses, ku, pasi e njofton për gjetjen e një avokati, i kërkon në mënyrë indirekte që “ta konsiderojë mik”.
Në vijim, nga këqyrja e aparateve dhe tabulateve telefonike, rezulton se gjyqtari Çobo i ka dërguar shpesh mesazhe dhe e ka telefonuar kallëzuesen. Kjo e fundit, megjithëse e ka kuptuar qëllimin e gjyqtarit për krijimin e një lidhjeje intime, është ndjerë e frikësuar për faktin se refuzimi i prerë nga ana e saj do të sillte si pasojë humbjen në procesin gjyqësor ku ishte palë.
Për këtë arsye, shtetasja I.T. i është shmangur në çdo kohë gjyqtarit dhe e ka kallëzuar atë pranë Policisë Vendore, e cila e referoi rastin pranë Prokurorisë për Krime të Rënda.
300 telefonata në 3 muaj
Në vijim të hetimeve, Prokuroria ka realizuar këqyrjen e telefonave, nga të cilët ka rezultuar se për një periudhë gati 3-mujore para kallëzimit, gjyqtari Çobo kishte kryer mbi 300 telefonata në drejtim të kallëzueses, si edhe një numër të lartë mesazhesh me tekst.
Në mesazhet e dërguara nga gjyqtari konstatohet qartë tendenca e tij për të bindur kallëzuesen që të krijonin një lidhje intime.
I pyetur si person nën hetim nga Prokuroria për Krime të Rënda, i dyshuari e ka mohuar faktin se mesazhet e tij kanë pasur si qëllim kërkimin e favoreve seksuale dhe se nuk ka pasur raporte jashtëgjyqësore me të pandehurën.
Por, nga provat e administruara gjatë procesit hetimor, rezulton e provuar se shtetasi Shyqyri Çobo ka tentuar për një kohë të gjatë të krijojë lidhje intime me kallëzuesen, e cila ishte palë në një proces gjyqësor të drejtuar prej tij në Gjykatën e Beratit.
Në këto kushte, Prokuroria për Krime të Rënda ka krijuar dyshime të arsyeshme se gjyqtari Shyqyri Çobo ka konsumuar elementët e veprës penale të “Korrupsionit pasiv të gjyqtarit”. Për këtë arsye, Prokuroria për Krime të Rënda kërkoi caktimin e masës së sigurimit “pezullim nga detyra”. Gjykata për Krime të Rënda pranoi këtë kërkesë ditën e Mërkurë, në dt. 29.06.2016.





