Goditet një grup që merrej me shitje të lëndëve narkotike të llojit kanabis sativa në zonën e Oxhakut në Tiranë. Në kuadër të operacionit të koduar “Triss”, u sekuestruan në total 30 kg lëndë kanabis si dhe u vunë në pranga 3 persona, dy prej të cilëve nga Tirana e tjetri nga Durrësi.

Të arrestuarit janë:

 – Ilir Kaja, 47 vjeç, banues në Tiranë,

 – Krasniq Krasniqi, 32 vjeç, banues në Durrës,

 – Juri Muça, 37 vjeç, banues në Tiranë.

Policia sqaron se në momentin e konstatimit, shtetasit Ilir Kaja dhe Krasniq Krasniqi po qëndronin në një distancë prej disa metrash nga njëri-tjetri dhe nga automjeti tip “Seat” me targë AA 457 MZ, ndërsa shtetasi Juri Muça po qëndronte disa metra me tutje duke ruajtur dy shtetasit e tjerë.

Në këto momente, është bërë ndërhyrja e menjëhershme si dhe është ushtruar kontroll në automjetin e mësipërm i cili ka qenë i parkuar, ku në bagazhin e këtij automjeti është gjetur një thes brenda të cilit ishin të paketuara 6 thasë të tjerë të mbështjellë me celefon të trashë. Në brendësi të këtyre thasëve ishin 30 kg kanabis.

Policia sekuestroi sasinë e lëndës narkotike, 2 automjete si dhe 4 telefona celularë.

S.L.