Pak çaste pas shpërthimit në aeroportin e stambollit, ku humbën jetën së paku 10 persona, në aeroport është ulur një avion me të cilin udhëtonte një delegacion shqiptar, mes tyre kryeministri Edi Rama dhe ministri i Financave Arben Ahmetaj. Lajmi është bërë i ditur nga Ministria e Punëve të Jashtme.

Rama u nis drejt Turqisë për një vizitë zyrtare, menjeherë pas aktivitetit të pasdites për Shëndetësinë, organizuar në Tiranë. Konfirmohet zyrtarisht se delegacioni shqiptar ka mbërritur shëndoshë e mirë në aeroportin e Stambollit.

Ndërkohë, Ministria e Jashtme shqiptare konfirmon se deri në këto momente nuk ka asnjë të dhënë për shtetas të tjerë shqiptarë të plagosur. Nga dy shpërthimet në aeroportin “Ataturk” në Stamboll humbën jetën 10 persona, ndërsa u plagosën mbi 40. Sakaq, dyshohet se dy kamikazë, pasi sulmuan me kallashikovë drejt turmës së qytetarëve, e më pas hodhën veten në erë.

Pas ngjarjes së rëndë, i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i kryeministrit Edi Rama. Me anë të një statusi të postuar në profilin e tij në rrjetin social Facebook, Rama ka bërë të ditur se gjithçka është në rregull. Ai falënderoi ndër të tjera për mesazhet e shumta të dërguara për të pyetur mbi situatën.

“Më vjen shumë keq për shqetësimin e krijuar dhe shumë faleminderit për mesazhet e panumërta. Gjithçka ok nesër vizita zyrtare në Ankara.”, tha Rama.