Ekstradohet në Shqipëri, nga Interpol Tirana, një anëtar i bandës së Admir Tafilit, i shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Sipas njoftimit të policisë, Dritan Peksani, 26 vjeç, nga Shkodra u ekstradua sot nga Frankfurti i Gjermanisë.

Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë me vendim Nr 343, datë 13.07.2015 ka caktuar ndaj këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest me burg” , për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me paramendim e kryer në bashkëpunim”, “Krijimit të grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerje e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 78/2, 333/a/2, 334/1 të Kodit Penal.

Ngjarja për të cilën akuzohet Peksani ka ndodhur në datën 25.06.2014, në qytetin e Shkodrës. Sipas policisë, shtetasi Peksani dyshohet se në bashkëpunim me shtetasit A.T, K. P, dhe E. M, kanë vrarë shtetasin I. M.

“Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana më Interpol Wiesbaden, u bë i mundur arrestimi i tij në Gjermani, duke u finalizuar me ekstradimin e tij drejt vendit tone”,- përfundon njoftimi i policisë.