Rotonda e Durrësit pushtohet nga kazanët e mbeturinave që kutërbojnë nga era e rëndë, në këtë stinë të nxehtë. Denoncimi vjen nga banorët në zemër të qytetit bregdetar, të cilët ngrenë shqetësimin aktual të sezonit veror: “ kazanët janë pa kapakë, të padezinfektuar, vijnë erë të keqe, në mbrëmje mbledhin mushkonja dhe janë burim infeksioni”, – thonë ata.

Por kur këta kazanë të grumbullimit të mbeturinave, gjenden  pranë objekteve historikë e arkeologjikë, janë edhe imazhi me të cilët përfaqësohet Durrësi, tek turistët e shumtë që vizitojnë qytetin gjatë këtij sezoni.

Pranë Rotondës në të dy krahët, pas pallatit të Kulturës, por edhe në rrugën “Aleksandër Goga”, kazanët e plehrave gjenden aty ku turistët në shumicën e rasteve fotografojnë këtë objekt.

Qytetarët durrsakë apelojnë se taksat dhe detyrimet ndaj bashkisë i paguajnë rregullisht, por shërbimet që përfitojnë janë të cunguara.

“ Bashkia, ndërmarrja e pastrimit, shëndetësia, të gjitha strukturat që e kanë për detyrë duhet të ndërhyjnë! Kazanëve t’u vendosen kapakët , të lahen e të dezinfektohen!”-  është apeli i qytetarëve.

K.H.