Dëshmia e edukatores së kopshtit ‘Diren’, publikuar nga emisioni "Stop", të hënën në mbrëmje, nxorri emrin e Elona Turdiut, si një prej dhunueseve të fëmijëve. Sipas edukatores, Elona Turdiu që ka punuar më parë në këtë kopësht, i dhunonte masivisht fëmijët në mënyrë mizore.

Të tjera reagime erdhën edhe më parë nga ana e njerëzve të afërt të Turdiut, të cilët thanë se edukatorja ishte pushuar njëherë nga puna për shkak të shenjave të dhunës mbi fëmijët.

Por, në një intervistë për Anabel.al, vajza e Elona Turdiut ka hedhur poshtë deklaratat e edukatores, e cila sipas saj nuk ka qenë në punë në kohën kur aty ishte Elona. Vajza e Turdiut është shprehur se nëna e saj është një edukatore e respektuar nga prindërit, dhe nuk ka ushtruar kurrë dhunë mbi fëmijët.

‘Mami im ka pesë muaj qe është larguar nga kopshti Diren dhe falë 15 viteve eksperiencë nuk i është dashur që marrëveshjen me fëmijët ta ndërtojë në bazë të dhunës . Për sa kohë mami im ka qëndruar në atë kopësht Anja ka qenë thjesht administratore në kopësht dhe s’ka patur asnjë moment dhune mbi fëmijët . Çdo gjë ka qenë ok, për këtë flasin edhe faktet që prindërit na kanë kontaktuar dhe na kanë falenderuar që për aq kohë sa mami ishte aty fëmijët ishin të kënaqur. Për sa i përket periudhës më pas nuk mbajmë asnjë lloj përgjegjësie, sepse as nuk kemi parë më e as dëgjuar deri në momentin e shfaqjes së videos!”,- thotë për Anabel.al vajza e edukatores së akuzuar.

Vajza e edukatores apelon që të mos hidhet baltë mbi nënën e saj, ndërsa shpreson se e gjithë ngjarja do të zbardhet dhe fajtorët do të dënohen.

“E vërteta do të zbardhet dhe për këtë faktet do të flasin. Deri atëherë do t’ju lutesha të mos villni më vrer e të bëni me faj një person që mbi të gjitha është njeri dhe jeton me nder e dinjitet , dhe me respekt nga të gjithë prindërit që ka hasur gjatë punës!”,- thotë vajza e Turdiut.