Shqiptari i ekzekutuar para picerisë së tij në Itali mbrëmjen e djeshme është 33 vjeçari Anton Shaskaj. Mediat italiane raportojnë se ngjarja ka ndodhur gjatë natës në qytezën e Velletrit, pranë Romës.
I riu shqiptar është qëlluar më dy plumba pistolete. Sipas policisë italiane, bëhet fjalë për një ekzekutim. Mësohet se vrasësi është larguar me një motor nga vendngjarja.
33 vjeçari shqiptar është ekzekutuar para gruas dhe dy fëmijëve të tij të mitur 4 dhe 5 vjeç.
Shumë miq të të riut shqiptar kanë vendosur sot buqeta me lule dhe dedikime pra derës së picerisë së Shaskajt që qëndronte e mbyllur.
Sipas informacioneve të para, 33 vjeçari nuk kishte precedentë penalë dhe njihej nga të gjithë banorët e zonës si një njeri punëtor.
Hetuesit janë duke shqyrtuar pamjet e kamerave të sigurisë së lokaleve të zonës për të hedhur dritë mbi autorin e vrasjes së 33 vjeçarit Shaskaj.





