Të gjithë ata pronarë që kanë një automjet për të cilin nuk kanë paguar taksat për një periudhë për më shumë se 10 vjet, do të përfitojnë amnisti për të gjitha detyrimet.

Drafti i cili tashmë është në përfundim, parashikon ndër të tjera që të gjithë këta pronarë do të kenë 6 muaj afat, për çregjistrimin e automjeteve pa paguar debinë.

Mësohet se falja e detyrimeve nga qeveria u kthen të drejtën pronarëve debitorë të rinovojnë lejen e qarkullimit, pasi shumica e këtyre mjeteve nuk ekzistojnë fizikisht.

Ky draft synon që të fshijë të dhënat e të gjithë automjeteve që kanë më shumë se 10 vjet që nuk kryejnë asnjë transaksion. Fshirja e detyrimeve nëpërmjet kësaj amnistie i jep të drejtë më pas pronarëve që të rinovojnë lejen e drejtimit.

Veprimet e çregjistrimit do të jenë pa pagesë, apo thënë ndryshe pronari nuk do të paguajë detyrimet e prapambetura, por në rast se ai kërkon që të mbajë aktiv mjetin, duhet të kryejë pagesat e 10 viteve. Mësohet se drafti është në diskutim dhe pritet që të kalojë së shpejti në qeveri për të marrë më pas edhe miratimin përfundimtar.