Turqia i kërkon ndjesë Rusisë. Mesazhi mban firmën e vetë Presidentit turk, Recep Taip Erdogan dhe përmbajtja e tij është bërë publik nga një zëdhënës i Presidentit Putin.

Ndjesa turke ka lidhje me rrëzimin e avionit rus nëntorin e kaluar në kufirin turko-sirian.  

“Presidenti Erdogan i ka dërguar një mesazh Presidentit Putin ku shpreh simpatinë dhe ngushëllimet më të thella për familjen e tij”, tha zëdhënësi.

“Në mesazh thuhet se Rusia është një vend mik i Turqisë dhe partner strategjik me të cilin autoritetet turke nuk duan marrëdhënie të prishura”, deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Turqia refuzoi të kërkonte ndjesë pas incidentit të muajit nëntor, kur avionët e saj rrëzuan avionin rus. Ankaraja u mbrojt duke deklaruar se avioni kishte shkelur hapësirën e saj ajrore, ndërsa Moska këmbëngul se avioni u rrëzua në hapësirën siriane.

Rusia si kundërpërgjigje vendoi sanksione që prekën edhe paketat turistike të rusëve, që vitet e fundit janë vizitorët më të rregullt të brigjeve turke.

Avioni rus, Su-24, një avion luftarak sulmues u rrëzua nga një F-16 turk më 24 nëntor të vitit të kaluar në zonën malore Jabal, pranë Latakias në Siri.