Ardian Fullani, ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë, nuk pranon 12 paga dëmshpërblim nga Gjykata Administrative, por kërkesat e tij shkojnë më tej. Ai ka apeluar vendimin duke kërkuar rikthim në punë dhe pagat e 48 muajve.
Apelimi i Fullanit është bërë pak ditë më parë në Gjykatën e Apelit Administrative, pas vendimit të Shkallës së Parë që pranoi pjesërisht padinë e tij. Fullani paditi Kuvendin dhe Bankën e Shqipërisë për shkarkim të padrejtë dhe rikthimin në punë, por Administrativja i njohu atij vetëm të drejtën e dëmshpërblimit me një vit pagë.
Por kjo nuk i mjafton ish-Guvernatorit. Pas largimit nga puna, ai argumenton se është dëmtuar psikologjikisht dhe ka pasur çrregullime.





