Një adoleshente shqiptare 15 vjeçe, e detyruar të prostituojë që në moshën 12-vjeçare, ka nxjerrë në dritë përfshirjen e biznesmenëve greke në një histori abuzimi seksual që ka tronditur opinionin publik në Greqi me rrëfimin e saj.
Mediet helene kanë zbardhur pjesë nga dëshmia e saj, sipas të cilës, ajo ka treguar emrat e të paktën 20 personave ndaj të cilëve tashmë janë ngritur akuza për rrëmbim të fëmijëve, prostitucion me të mitur dhe posedim droge.
Ajo jetonte me nënën dhe motrën 20-vjeçare, një motër tjetër nuk e kishte njohur, ndërsa i ati ishte i ndarë dhe jetonte vetëm. Ajo vendosi të shkonte të jetonte me të, por kushtet ishin të papranueshme, ai nuk kishte para dhe vinte çdo natë i dehur. Kur dëgjoi se në kushte të tilla atë mund ta dërgonin në institucionet sociale për ta mbajtur, e mitura vendosi të ikte nga i ati pa e ditur që do t’i futej një rruge të errët.
Për 3 vite me radhë, 15-vjeçarja është shfrytëzuar seksualisht në hotele të njohura nga disa biznesmenë. Shqiptarja që identifikohet me inicialin B. ka treguar lidhjen e saj me një biznesmen të fuqishëm grek në fushën e shëndetësisë, i cili zotëron farmaci dhe depo farmaceutike.
“Unë shkova te biznesmeni. U takuam te një klub nate tepër i njohur në Poseidon. Me një makinë luksoze shkuam në shtëpinë e tij. Hyri në jakuzi, mori përpara një pjatë me kokainë. Herën e parë që bëmë seks ai më dha 900 euro.
Më tha se nëse qëndroja gjatë me të, do më vendoste 50-100 mijë euro në llogari bankare. Pastaj vuri një këngë që fliste për spartanët dhe më tha se ne jemi spartanë”, rrëfen ajo.





