Kriza e shkaktuar nga vota britanike për të lënë Bashkimin Europian ka shtuar ankthin të dielën në Azi, me Kinën, Japoninë dhe Korenë e Jugut, që po peshojnë rrezikun e stabilitetit botëror financiar pak orë përpara se bursat të hapen.
Ministri i Financave i Kinës tha se pasojat e referendumit të së enjtes do të shkaktojnë pasiguri në ekonominë globale, ndërsa një zyrtar i lartë në Tokio paralajmëroi për rrezikun e lëvizjeve spekulative dhe të dhunshme të monedhave.
Pasi britanikët votuan për të dalë nga BE-ja, paundi të premten ra me më shumë se 10% kundrejt dollarit, në nivele që janë parë së fundmi në vitin 1985, ndërsa më shumë se 2 trilionë dollarë u fshinë nga vlera e aksioneve globale. Fundjava i dha pak frymëmarrje tregjeve, por shqetësimet po rriten, teksa pritet hapja e tregjeve të hënën.





