“Aerosmith”  grupi i famshëm i muzikës rock, i themeluar në 1970, në Boston të Massachusetts, ka paralajmëruar shpërbërjen, pas 46 vitesh së bashku.

Lajmin për shpërbërjen e grupit e ka dhënë frontmeni Steven Tyler duke thënë se është i lumtur që gjatë gjithë këtyre viteve, kanë qëndruar bashkë të gjithë anëtarët (këngëtari Tyler, kitaristi Joe Perry, basisti Tom Hamilton, bateristi Joey Kramer dhe kitaristi tjetër Brad Whitford).

“E dua këtë grup, e dua shumë dhe dua të shuaj çfarëdo mendimi që dikush mund të ketë rreth kësaj: Grupi ka marrë fund. Do të bëjmë një turne të lamtumirës (në vitin 2017), vetëm për faktin se tashmë është koha”, ka thënë ai.

Ndërkohë këngëtari 68-vjeçar kohë më parë ka njoftuar se është duke inçizuar albumin e tij “country”, “We’re All Somebody From Somewhere”, të cilin do ta publikojë më 15 korrik. Albumi i tij do të përmbajë 13 këngë, ndërsa aty kanë punuar emra, si T Bone Burnett, Dan Huff, Marti Fredriksen e Jaren Johnston.

Albumi i fundit i Aerosmith dhe i 15-ti gjatë gjithë karrierës së tyre muzikore, “Music From Another Dimension”, u publikua në vitin 2012.