Një ditë pasi Britania e Madhe vendosi të largohet nga BE, krerët e shteteve europiane do të mblidhen për të diskutuar kushtet e reja.
Sot në mesditë priten të takohen në Berlin 6 ministrat e jashtëm të Gjermanisë, Francës, Italisë, Belgjikës, Luksemburgut dhe Hollandës ku do të flitet për një union më fleksibël.
Në pritje të deklaratave të para nga Londra, Presidenti i Komisionit Europian Juncker, Presidenti i Lëshillit Europian Tusk, President i Parlamentit Europian Schulz do të takohen sot në Bruksel për të negociuar në mënyrë që Britania të dalë sa më shpejt nga unioni, pasi sipas procedurave largimi i Britanisë mund të kërkojë të paktën 2 vite.
Juncker u shpreh se ndarja nuk do të jetë konsensuale dhe nuk është e nevojshme të pritet deri në tetor për të vendosur nëse duhet dërguar një letër “divorci” Brukselit.
Po këtë të martë pritet të zhvillohet takimi i parë post Brexit, ku David Cameron do të jetë i pranishëm vetëm për të raportuar rreth referendumit dhe dorëheqjes së tij.
Më pas Këshilli Europian do të vijojë punimet të mërkurën por për herë të parë nuk do të jetë e pranishme Britania e Madhe.
Një ditë më parë qytetarët britanikë përmes referendumit morën vendimin për t'u larguar nga Bashkimi Europian, një vendim i cili shkaktoi reagime të shumta në Europë dhe jo vetëm.





