Shtohet presioni i Bashkimit Evropian ndaj mazhorancës dhe kryeministrit Edi Rama, për të miratuar me konsensus reformën në drejtësi. Pas eurodeputetëve, Knut Flecnkestein dhe Eduart Kukan, dje kanë bërë thirrje për konsensus edhe Tanja Fajon dhe Ivo Vajgl, të cilët i kanë rrëzuar Edi Ramës vijën e kuqe dhe i kanë dhënë mbështetje Partisë Demokratike. Pak ditë më parë, shefi i qeverisë u shpreh se ishte BE ajo që kërkonte të mos prekej vetingu, ndërsa duket se faktet janë krejt ndryshe. Dyshimet tani janë te roli i ambasadores së BE, Romana Vlahutin, e cila është akuzuar shumë se ka mbajtur mbështetjen e qeverisë. Reagimet e njëpasnjëshme të eurodeputetëve tregojnë se BE ka humbur besimin te ambasadorja dhe ka vënë në lëvizje strukturat më të larta të saj. Fajon ka thënë dje se një reformë e mirë duhet që të ketë mbështetjen e të gjitha palëve. “Kjo është një reformë shumë e rëndësishme për Shqipërinë, do sjellë shumë ndryshime dhe ky është momenti kyç për ta shtyrë përpara këtë reformë”, ka thënë dje Tanja Fajon për një portal. Sipas saj, duhet që palët të gjejnë gjuhën e përbashkët. “Besoj se qeveria shqiptare dhe opozita do e gjejnë një zgjidhje, ne do ju japim të gjithë mbështetjen e nevojshme dhe kemi besim të madh se do ia dilni”, tha ajo. Edhe eurodeputeti Ivo Vajgl ka qenë në të njëjtën linjë me të, duke i rrëzuar Ramës pretendimet se ishte BE pas vijës së kuqe. Kjo ka bërë që PS ditët e fundit të mos flasë më për këtë gjë, pasi ka ngritur dyshime se as SHBA dhe as BE nuk i ka më pas vetes.
“Unë mendoj se të gjitha vendimet e rëndësishme të çdo shteti, apo të gjitha reformat e nevojshme për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian,duhen të arrihen si bashkëpunim i opozitës me qeverinë, duke përfshirë sigurisht edhe shoqërinë civile”, tha Vajgl.
KE kontakton Bashën
Komisioni Evropian ka zbehur rolin e ambasadores Romana Vlahutin, pas akuzave që Partia Demokratike lëshoi në drejtim të saj. PD dyshon se ajo ka dalë në krah të qeverisë, e për këtë arsye janë vënë në lëvizje instrumentet më të lartë të Bashkimit Evropian. Sinjali i parë për zbehjen e rolit të ambasadores u dha nga dy eurodeputetët Knut Fleckenstein dhe Eduart Kukan, ndërsa mësohet se përfaqësues të Komisionit Evropian do të kontaktojnë me kreun e Partisë Demokratike Lulzim Basha, për të sqaruar qëndrimet e Partisë Demokratike. Pas dyshimeve se Vlahutin mund të kishte shtrembëruar kërkesat e demokratëve, Basha ditët e fundit ka zhvilluar një sërë takimesh me ambasadorët e vendeve të BE që ndodhen në vendin tonë, të cilët i ka sqaruar mbi propozimet e PD për reformën në drejtësi. Por duket se tani edhe Komisioni Evropian ka nisur të jetë mosbesues ndaj Vlahutin e për këtë arsye ky organ ka vendosur që të kontaktojnë drejtpërdrejt me Lulzim Bashën. Pra del qartë se BE e ka ngritur stekën në nivelet e saj më të larta dhe ia ka zbehur rolin ambasadores së BE. Kryeministri Edi Rama, pak ditë më parë, deklaroi se vija e kuqe për institucionet e vetingut është vënë nga BE, por eurodeputetët dëshmuan të kundërtën. Më pas ishte LSI ajo që i kërkoi PD që të kontaktonte me instancat e BE. Si duket tani është vënë në lëvizje Komisioni Evropian për të sqaruar një herë e mirë qëndrimet e PD.
/sot news/





