Avokati i Popullit, Igli Totozani, mori pjesë sot në ditën kombëtare të komunitetit egjiptian.
Gjatë aktivitetit ai u shpreh: -“Në momentin që mora ftesën për pjesëmarrje në këtë aktivitet, kujtesa më solli në vëmendje një takim të vetëm para disa ditëve, që zhvillova me disa përfaqësues të komunitetit egjiptian në vend dhe përfaqësues të OJF-ve, që zhvillojnë aktivitet në mbrojtje të të drejtave të komuniteteve rome dhe egjiptiane”.
Avokati i Popullit ka depozituar në Parlamentin shqiptar në muajt e parë të vitit 2015 nje raport (ende i padiskutuar), mbi gjendjen e të drejtave të minoriteteve në vend. Raporti ka përfshirë edhe analizën mbi gjendjen e të drejtave të komuniteteve të tjera si egjiptianët, boshnjakët, apo edhe goranët. Çështjet e trajtuara në këtë raport si dhe rekomandimet e dhëna prej nesh vazhdojnë të mbeten aktuale”.
Në këtë konsiderim dhe përpjekje të përbashkët, respekti ndaj të drejtave të minoriteteve dhe komuniteteve të tjera nuk është një privilegj që shteti dhe shoqëria jonë u bën atyre, por një detyrim dhe një proces i natyrshëm që bazohet tek dinjiteti njerëzor dhe diversiteti, duke prezantuar kështu një investim madhor që një shoqëri i rezervon vetvetes për të ardhmen, theksoi Totozani.





