Sulmi vdekjeprurës nga të shtënat në Ayia Napa, të Qipros mbrëmjen e së enjtes, rezultoi me vdekjen e katër personave, përfshirë dhe atentatorin, që është identifikuar si një 41-vjeçar shqiptar.
Ndërkohë, një tjetër shqiptar është shpallur në kërkim. Ai është 48-vjeçari Aleks Burreli. Policia ka shpërndarë një foto të tij, pasi dyshon se ai ka qenë atentatori i dytë. Ndaj 48-vjeçarit është lëshuar një urdhër-arresti.
Ngjarja
Sulmi ka ndodhur rreth orës 10:30 në rrugën Katalymaton, një distancë e shkurtër nga një vend ku katër vjet më parë, në të njëjtën ditë, u qëlluan pesë persona për vdekje.
Viktima e synuar në këtë sulm nuk ka qenë tjetër person përveçse Phanos Kalopsiditis, një nga katër të vdekurit. Babai plak i Kalopsidiotis është vrarë dy vjet më parë, në një tjetër atentat të ngjashëm të bandave kriminale.
Duke folur për mediat, zëdhënësi i Policisë së distriktit Famagusta, Georgious Economou tha se viktima Kalopsidiotis, një biznesmen lokal në zonë, kishte qenë i ulur me pesë persona të tjerë në restorante, ndërsa tre truprojat e tij ishin ulur në tryezën ngjitur:
“Ndodhi kur dy burra me maska hynë në restorant dhe hapën zjarr mbi tryezë me pistoleta dhe armë automatike. Si rezultat, Kalopsidiotis, oficeri i policisë Elias Hadjiefthymiou dhe bashkëshortja Skwi u vranë”.
Gjatë shkëmbimit të zjarrit, një nga rojet që arriti të qëllonte për vdekje njërin nga vrasësit, 41-vjeçarin shqiptar, ndërsa personi tjetër, që dyshohet se është Burreli, është arratisur.
Edhe dy personat në tryezë, njëri polic jashtë detyrës nga Nikozia dhe tjetri truprojë u plagosën. Të dy fëmijët të moshës 13 dhe 14 vjeç të çiftit Hadjiefthymiou shpëtuan të padëmtuar pasi hynë poshtë tryezës.
Burimet thanë se vrasësi kishte përdorur një kallashnikov dhe se dy armë u gjetën në vendin e ngjarjes të premten në mëngjes, pistoleta e shërbimit të oficerit të MMAD dhe arma e përdorur nga vrasësi.
Një makinë është djegur dhe braktisur në një karburant jashtë Ayia Napa afër varrezave të reja dhe policia është duke hetuar nëse ka lidhje me të shtënat veçanërisht me kallashnikovin. Policia ka sekuestruar edhe pamjet e kamerave të vëzhgimit në zonë.
Trupat e të vdekurve, në orën 6:00 të mëngjesit të së premten u transferuan në morgun e përgjithshëm të Nikozias.
Agjencitë turistike në Ayai Napa kanë frikë se të shtënat do të kenë impakt negativ në biznesin e resorteve turistike të zonës në një kohë kur shifrat po tregojnë rritjen e numrit të vizitorëve për vitin 2016. /syrinet/
Linku: http://www.syri.net/wp-content/uploads/2016/06/SYRI-TV-720.mp4?_=1





