Policia e Durrësit ka konfirmuar pengmarrjen e anijes “Çelepia 2” nga marinari egjiptian. Ai kërkon 70 mijë euro ose në të kundërt kërcënon se do të fundosë anijen së bashku me 2 marinarët shqiptarë.

Burime zyrtare nga policia e Durrësit thonë se rreth orës 10:00 të ditës së sotme, shtetasi egjiptian Adel Mohamed Sallam ka marrë në telefon bashkëkombasin e vet shtetasin egjiptian R. A., 53 vjeç, i cili punon në Portin Detar Durrës duke i thënë se motopeshkatorja ndodhet në afërsi të Aleksandrisë në Egjipt.

“Ai kërkon 70 mijë euro duke kërcënuar se do të fundosë anijen së bashku me 2 marinarët shqiptarë”, bën të ditur policia.

Si u denoncua zhdukja e anijes nga pronari i saj

Motopeshkatorja “Çelepia 2” është në pronësi të shtetasit Murat Çelepia.

Në datë 18 qershor 2016, kapiteni i motopeshkatores Dhimitër Malja, 54 vjeç, ka paraqitur kërkesën për nisje të mjetit lundrues për peshkim së bashku me 2 marinarë, shtetasin Luan Mema nga Durrësi dhe shtetasin egjiptian Adel Mohamed Sallam, 30 vjeç.

Punonjësit e Policisë sipas procedurave standarde ushtruan kontroll në bord dhe pasi u konstatua gjithçka në rregull në orën 14:30 të datës 18 qershor, iu dha leja për nisjen për gjueti në ujërat e brendshme territoriale.

Në orën 24:00 të datës 21 qershor 2016, pronari i anijes Murat Çelepia u paraqit pranë Policisë Kufitare në Durrës, ku ka deklaruar se ka humbur kontaktet me motopeshkatoren.

Policia Kufitare ka nxjerrë menjëherë në patrullim mjetin lundrues. Megjithë kontrollin me radar dhe thirrjeve të vazhdueshme në kanalin e komunikimit, nuk është bërë e mundur gjetja fizike e motopeshkatores.

Trupa Detare e Forcave të Armatosura nisën në mënyrë të menjëhershme operacionin e kërkim-shpëtimit dhe vetëm paraditen e sotme erdhi telefonata nga ana e marinarit egjiptian që njoftoi se e ka marrë ai peng anijen.

Për këtë ngjarje, kanë nisur hetimet në bashkëpunim edhe me Prokurorinë e Krimeve të Rënda për zbardhjen e plotë të rrethanave.