Partia Demokratike ka dalë sot në një reagim për mediet nëpërmjet zëdhënëses së saj Ina Zhupa, duke akuzuar qeverinë, e konkretisht ministren e Arsimit Lindita Nikollën, në lidhje me skandalin e dhunës në kopshtin “Diren” në Tiranë.

Ekzistenca e këtij kopshti privat në zemër të Tiranës pa licencë është një shkelje e rëndë e ligjit, dhe për këtë PD-ja i bën thirrje prokurorisë të hedhë dritë sa më shpejt mbi këtë krim.

“Është e qartë se ky aktivitet nuk bëhej pa dijeninë e Ministrisë së Arsimit, pa dijeninë e Lindita Nikollës. Por bëhej me dijeninë e tyre të plotë, me bekimin e tyre të plotë. Dikush ka marrë para që kopshti pa licencë të punonte. Dikush është paguar mirë që kjo paligjshmëri të mos prekej.

Nxisim prokurorinë që të bëjë një hetim të shpejtë e serioz, për të nxjerrë në dritën e diellit se kush e merrte ryshfetin në Ministrinë e Lindita Nikollës, vartësit e saj apo ajo vetë”, deklaroi Zhupa.

PD hedh akuza edhe në drejtim të kryeministrit Edi Rama, sipas së cilës, ai dhunon të dobëtit e të pamundurit, e nga ana tjetër është krejtësisht i papërgjegjshëm.

“Një drejtësi e plotë dhe e rreptë për këtë rast, do të ndihmonte në rritjen e sigurisë për fëmijët dhe vogëlushët e pambrojtur.

Por kjo është më shumë se historia e një kopshti pa licencë ku dhunohet mizorisht një i mitur.

Krejt vendi, Shqipëria është në të njëjtin realitet, ku Edi Rama, dhunon të dobëtit, të pamundurit.

U merr atyre dhe qindarkën e fundit.

I përplas në varfëri e mjerim.

Në burgje e në errësirë.

Dhe në fund, ky delirant i papërgjegjshëm, na shfaqet si Marigoja i qëndismave në bluzën e kombëtares.

Mendon se do t’i shpëtojë ndëshkimit popullor me votë për krimet dhe korrupsionin, duke mashtruar paturpësisht për një bluzë”, tha Zhupa.