Shumë shpejt do të hiqen vulat në pasaporta gjatë kalimit në kufi. Zëvendësministri i Brendshëm, Stefan Çipa, prezantoi dje në Komisionin Parlamentar të Sigurisë projektligjin e ri për kalimin kufitar. Ai deklaroi se projektligji i ri është në përputhje me standardet e Shengenit, teksa shtoi se qytetarët do të regjistrohen në mënyrë elektronike.

“Do të hiqen vulat në pasaporta që vihen në dogana. Qytetarët do të regjistrohen në mënyrë elektronike në kufi. Ky projektligj është në përputhje të plotë me legjislacionin e Bashkimit Europian lidhur me lëvizjen e lirë dhe menaxhimin e kufirit me Kodin Shengen si një koncept ombrellë që ndahet nga verifikimi kufitar dhe gjithashtu duke përcaktuar terma të tilla si mbikëqyrja kufitare apo veprimtaria në vijën kufitare, deri te kontrolli kufitar.

Këto terma janë të gjithë pranuara tashmë, jo vetëm në legjislacionet nacionale, por edhe në legjislacionin e Bashkimit Europian, si standardi minimal për t’u përmbushur dhe nga Republika e Shqipërisë”, u shpreh Çipa.