Dy anije peshkimi në Durrës kanë humbur kontaktet me Kapitanerinë dhe ende nuk ka asnjë sinjal prej tyre.
Sipas të dhënave, mësohet se anijet që kanë humbur kontaktet janë “Çelepia 2” dhe “Qamili”.
Për anijen “Çelepia 2” me 3 pjesëtarë në bord situata është enigmatike, pasi përveçse ka humbur kontaktet, nuk dihet vendndodhja e saj.
Ndërsa për anijen tjetër “Qamili” është identifikuar vendndodhja pasi ka aparaturën “Blueboks”. Burime zyrtare thonë për “DurrësLajm” se ajo ndodhet në grykëderdhjen e Bunës, megjithëse nuk është arritur të kontaktohet me marinarët e saj.
Në anijen “Çelepia 2”ndodhen 3 marinarë në bord, kapiten Dhimitër Malja, motorist Luan Mema dhe marinar Muhamed Salam (egjiptian).
Vendndodhja e saj nuk mund të identifikohet për shkak të mungesës së aparaturës “Blueboks”. Ajo ka dalë në det më 18 qershor në orën 14:30 dhe prej atij momenti ka humbur kontaktet.





