Suksesi i Shqipërisë në sfidën e fundit të grupit ndaj Rumanisë ka bërë xhiron e Botës me mediat më të rëndësishme ndërkombëtare që i kanë kushtuar një hapësirë të veçantë kombëtares kuqezi. Goal.com një prej portaleve më prestigjiozë, i ka bërë një analizë të detajuar paraqitjes së Shqipërisë ndaj Rumanisë, duke vlerësuar në maksimum lëvizjet e trajnerit Gianni De Biazi.
Sipas Goal.com për të arritur fitoren më të madhe në historinë e futbollit shqiptar, trajneri italian la në stol dy yjet e skuadrës mbrojtësin dhe kapitenin Lorik Cana dhe mesfushorin lufturak, Taulant Xhaka duke bërë të njëjtën gjë që bëri trajneri i Francës Didier Deschamps, në sfidën ndaj kuqezinjëve me këtë të fundit që uli në pankinë, mesfushorin Paul Pogba dhe sulmuesin Antoine Griezmann.Goal.com shkon edhe më tej me vlerësimet e saj teksa thekson: “Nëse kualifikimi do të bazohej te pasioni, nuk do të kishim asnjë dyshim që Shqipëria do të kualifikohej për në raundin e 1/8-ave të Euro 2016”.
Goli i Armando Sadikut ndaj Rumanisë, ndriçoi një komb të tërë dhe tani Shqipëria është me sytë nga grupet e tjera, me shpresën se mund të vazhdojë ëndrrën. Goal.com në analizën e saj e cilëson suksesin e Shqipërisë, si më të madhin e historisë së futbollit shqiptar, por fitorja ndaj Rumanisë mund të mos mjaftojë sepse Shqipëria nuk favorizohet shumë nga goleavarazhi dhe nga situata e grupeve të tjera. Në fund të shkrimit të saj faqja e specializuar, nënvizon se për ata tifozë të mrekullueshëm që kanë ngjyrosur në ngjyrën e kuqe tre stadiumet ku Shqipëria ka luajtur në këtë Evropian, të besuarit e Gianni De Biazit do ta meritonin kualifikimin për në raundin me eliminim direkt.





