Teuta arrin rezultate të shkëlqyera në lojërat rinore të rajonit adriatiko-jonian që janë zhvilluar në Ankona në Itali. Në këto lojëra merrnin pjesë 8 shtete që lagen nga detet e Adriatikut dhe Jonit dhe zhvillohen çdo dy vjet. Në këtë aktivitet ishte tërësisht ekipi i Teutës që përfaqësonte Shqipërinë dhe tashmë durrsakët i kanë dhuruar vendit medalje ari e argjendi në disa sporte. Shtetet që merrnin pjesë në këtë aktivitet ishin Shqipëria, Bosnje Hercegovina, Italia, Kroacia, Greqia, Mali i Zi, Serbi, Slloveni dhe këto shtete janë përfaqësuar me ekipet e qyteteve respektive që lagen nga këto dy dete.

Në këtë aktivitet ku të gjitha ekipet janë të moshës U 16, Teuta mori pjesë në futboll si dhe në volejboll, basketboll, atletikë, tenis dhe taekwondo. Përveç futbollit Teuta ishte e përfaqësuar në sportet e tjera në të dyja kategoritë për femra e meshkuj. Teuta përfaqësohet në këto lojëra me 85 sportistë dhe rezultatet e sportistëve durrsakë ishin spektakolare.

Në volejboll meshkuj ekipi 16-vjeçarëve i Teutës u shpall kampion duke marrë medalje ari e po kështu edhe në tenis Skerdi Hasa i Teutës mori medalje ari në lojën çift ku dyshja shqiptare mundi në finale dyshen greke. Po kështu në tenis për femra Brunilda Mrruku e Teutës mori medalje bronzi. Rezultate të larta u arritën edhe në atletikë ku Iljana Beqiri mori medalje argjendi për garën 400 metra, ndërsa Joana Hazisllari u rendit e katërta në kërcim së gjati.

Edhe në taekwondo durrsakët u renditën në vendin e tretë duke marrë medalje bronzi. Ky ishte një sukses për sportin durrsak që përfaqësoi denjësisht Shqipërinë në këto lojëra ku edhe pse konkurrenca ishte e jashtëzakonshme Teuta mori shumë dy medalje ari, 1 argjendi dhe 2 bronzi.

Në delegacionin që shoqëronin sportistët durrsakë merrnin pjesë edhe drejtues të klubit shumësportësh Teuta dhe përfaqësues të Bashkisë së Durrësit. Drejtuesi i klubit shumësportësh Teuta, Kreshnik Leka, deklaroi se këto rezultate janë fryt i mbështetjes së fuqishme të Bashkisë së Durrësit që e ka një nga prioritetet e saj zhvillimin e sportit por edhe të një pune të madhe që po bëhet nga klubi shumësportësh për rritjen e cilësisë sportive dhe ky është një tregues real se sporti në Durrës ka një të ardhme të shkëlqyer pasi këta sportistë premtojnë shumë që në arenën ndërkombëtare do të arrijnë rezultate dhe medalje në aktivitetet evropiane dhe botërore duke ngritur lart jo vetëm emrin e Durrësit por të gjithë Shqipërisë.