Projekti qeveritar “Maqedonia Punëson” parasheh që vetëm për një vit të punësohen 15 deri më 20 mijë persona. Nga qeveria thonë se kur jemi te lufta kundër papunësisë një prej projekteve më të suksesshme në Maqedoni është ai “Maqedonia punëson”, i cili u dedikua para se gjithash për përkrahjen e ekonomisë vendore dhe paraqet lehtësim të konsiderueshëm dhe nxitje financiare për ndërmarrjet por edhe një gjasë për kategoritë më të prekshme të personave të papunë.
Përmes këtij projekti që filloi në muajin prill të vitit 2015 dhe zgjati deri në prill të vitit 2016, u punësuan 19 mijë persona, dhe 10138 ndërmarrje i shfrytëzuan përparësitë të cilat u ofroheshin. “Edhe pse në kushte të krizës së rëndë politike e cila ka ndikim të konsiderueshëm mbi ekonominë, ne nuk do të heqim dorë dhe do të vazhdojmë të punësojmë qytetarë”, thonë nga partia VMRO-DPMNE.
Sipas tyre, projekti do të vazhdojë që të realizohet dhe tanimë javën e ardhshme qeveria e udhëhequr nga VMRO-DPMNE do të vazhdojë me realizimin e projektit “Maqedonia punëson 2” i cili do të jetë në fuqi një vit.
/Zhurnal.mk





