Pasi humbi mandatin e deputetit me vendim të Gjykatës Kushtetuese, Koço Kokëdhima duket se po sulmon edhe Partinë Socialiste.
Pasditen e së shtunës, në festën e organizuar nga dega vendore e PS-së në Vlorë, në 25-vjetorin e themelimit të saj, ish-deputeti ka shpërthyer në akuza të rënda për PS-në. Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë deputetë socialistë në Qarkun e Vlorës, përfshirë edhe Kryeministrin Edi Rama, ministren Mimi Kodheli, e ngarkuara e kryesisë për të mbuluar veprimtarinë e PS-së atje, si dhe anëtarë socialistë.
Të gjithë ishin planifikuar të flisnin në festën e organizuar, gjithnjë në funksion të historisë dhe nderimit për kontribuuesit e shumtë, por mbërritja e ish-deputetit Kokëdhima në ambientet ku po mblidheshin socialistët, shkaktoi tension të madh, për shkak të insistimit të tij për të marrë fjalën.
Sipas lajmit që bëhet i ditur nga “Report Tv”, ish-deputeti sulmoi me tone të forta Partinë Socialiste, drejtuesit e saj në Tiranë për apatinë e tyre në mbrojtjen e çështjes së mandatit të tij. Kokëdhima foli për padrejtësinë e Gjykatës dhe vendimin e saj për mbarimin e mandatit të tij, por në mënyrë të pabesueshme i shtyu akuzat drejt PS-së, që sipas tij, me pasivitetin e saj nuk e mbrojti, por e ndihmoi gjykatën të merrte këtë vendim.
Ndërkohë, po të shtunën, në një status në “Facebook”, Kokëdhima shprehej se reforma në drejtësi duhet të marrë edhe konsensusin e PD-së. Nisur nga ky qëndrim i Kokëdhimës, segmente pranë PS-së kanë ngritur dyshime për rolin e ish-deputetit.
Sipas së njëjtës media, janë jo të paktë zërat brenda selisë rozë që vënë në pikëpyetje votën e deputetes Mira Shehu, e cila që prej heqjes së mandatit të Kokëdhimës, nuk ka marrë pjesë në asnjë seancë të Kuvendit. Duket se shantazhi i Kokëdhimës drejtohet ndaj Edi Ramës, të cilit, jo çdo votë në PS, por çdo votë në Kuvend, i duhet për të kaluar reformën në drejtësi.





