Kryeministri italian, Matteo Renzi ka humbur zgjedhjet e së dielës në Romë dhe Torino përballë një partie të re italiane në rritje, lëvizja “5 Yjet”.

Rezultatet e para tregojnë se Virginia Raggi do të jetë e para grua që do të drejtojë bashkinë e kryeqytetit italian pas kësaj fitoreje, që përbën kështu edhe një goditje të fortë për Partinë Demokratike të majtë të Renzi-t.

Raggi, një avokate 37-vjeçare që nuk njihej deri para pak muajsh, ishte pranë fitores së dy të tretave të votave, duke mposhtur kështu kandidatin demokrat Roberto Giachetti. 

“Do të jem kryebashkiakja e të gjithëve. Do të rivendos legalitetin dhe transparencën në institucionet e qytetit pas 20 vjetësh qeverisjeje të dobët. Me ne ka nisur një epokë e re”, tha Raggi.

Rezultatet e arritura mund t’i japin lëvizjes “5 Yjet”, e themeluar nga ish-blogeri Bepe Grillo, një shtysë të mirë për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në 2018-n.

Nga ana e saj, partia e Renzi-t ka siguruar kryeqytetin ekonomik të Italisë, Milanon dhe Bolonjën, ndër qytetet më të mëdha të vendit.