Panairi i birrave dhe qofteve në qendër të Durrësit, është përzënë me urdhër të kreut të bashkisë Vangjush Dako, pas ankesave që ngriti biznesi durrsak dhe Myftinia e Durrësit, pasi besimtarët myslimanë gjenden në muajin e agjërimit.

“Elbari” u vendos në sheshin “Liria” në Durrës, me pretendimin e një muaj qëndrimi, por realisht qiranë e pagoi vetëm për 10 ditë në bashki për zënien e sheshit qendror, ku për çdo natë mblidheshin mijëra tifozë që ndiqnin Europianin me birra e qofte në tavolina.

Pas mbarimit të ndeshjes kundër Rumanisë të dielën në mbrëmje, bashkia u ka kërkuar administratorëve largimin në fillim të javës nga sheshi qendror.

Ishte reagimi i ashpër i biznesit durrsak, i cili i bëri apel bashkisë. Sipas tyre, favorizimi që iu bë “Elbarit”, la me gisht në gojë të gjithë biznesin durrsak, i cili ishte përgatitur për ndeshjet e Europianit.

Po kështu, Myftinia e Durrësit bëri thirrje për nënshkrimin e një peticioni nga besimtarët për t’u larguar nga sheshi para Xhamisë i panairit të birrave dhe qofteve.

Përgjatë gjithë natës, punonjësit e kompanisë kanë çmontuar kioskat prej druri, tavolinat e karriget, dhe në mëngjes është bërë transportimi i tyre.

Qytetarët do të kenë mundësi ta shikojnë sërish kampionatin në vende publike edhe para bashkisë ku është vendosur një monitor.    

K.H.