Qytetarët e Durrësit nuk po dinë më se ç’po konsumojnë, duke nisur që nga zarzavatet, perimet e frutat, pjesa më e madhe e të cilave janë me hormone, deri te produktet ushqimore që blenë në supermarkete apo dyqane.

Ata janë të kërcënuar ndaj konsumimit të produkteve të skaduara, të cilat tregtohen në supermarketet që reklamohen si ndër më cilësoret në treg dhe mbi të gjitha edhe janë edhe ndër më të shtrenjtët.

Një qytetare nga Durrësi ka denoncuar në rrjetet sociale një produkt të skaduar që ka blerë në një prej filialeve të rrjetit të supermarketeve “Conad” që ndodhet në Durrës.

Siç shihet në foto, bajamet e pjekura që ajo ka blerë mbajnë datën e skadencës 3 qershor 2016, ndërkohë që produkti është blerë ditën e diel, më 19 qershor 2016. Pra ky produkt, minimalisht duhej të zhdukej 16 ditë më parë nga supermarketi, por jo vetëm që kjo nuk është bërë, por ai ka vazhduar të qëndrojë aty dhe tashmë ka përfunduar në tryezat e konsumatorëve durrsakë.

Produkte të tilla të skaduara përbëjnë kërcënim për shëndetin e konsumatorëve, pasi mund të shfaqin rrezik serioz për jetën deri në shkaktimin e helmimeve. Por ky nuk është rasti i parë që një produkt i tillë i skaduar vazhdon të shitet te ky supermarket. Në jo pak raste, qytetarët nga Durrësi janë ankuar për këtë problem, pasi u ka rezultuar i skaduar një produkt që kanë blerë aty.

Por ku është Autoriteti Kombëtar i Ushqimit përballë kësaj situate shqetësuese? AKU është institucioni i vetëm që monitoron dhe mban përgjegjësi për ushqimet e skaduara, por me sa duket se nuk i ka kapacitetet njerëzore dhe kapitalet e nevojshme për të ushtruar kontrolle të imtësishme, duke lënë kështu qytetarët të pambrojtur dhe në rrezik.

S.L.